lunedì 7 aprile 2014

AKIDEJA DHE BESIMI I TEUHIDIT Nga shejh: Salih ibën Feuzan el Feuzan Hytbe e mbajtur më 12 Rabia el Ahir 1434h.



Hytbeja e parë:

Lavdia i qoftë Allahut, i Cili na krijoi që ta adhurojmë, na urdhëroi që ta veçojmë (me adhurim) dhe pët bindje ndaj Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashok; sikurse nuk ka ortak në Zotërimin e Tij. Dëshmojmë se Muhamedi është robi, i dërguari dhe i zgjedhuri i Tij mes njerëzve; salavatet dhe selamet e shumta të Allahut qofshin mbi të, familjen, shokët.

Më pas:

O njerëz! Jini të devotshëm ndaj Allahut të Lartësuar, dhe dijeni se akideja (besimi) i Teuhidit është themeli i Islamit, themeli i Fesë, është çështja e parë për të cilën Allahu xhel-le ue ala i ka urdhëruar njerëzit. Allahu i Lartësuar ka sqaruar se i ka krijuar njerëzit për këtë çështje [për Teuhid], dhe ka thënë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالإِنسَ إِلاَّ لِيَعْبُدُونِ

“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit vetëm se për të më adhuruar Mua.”[edh-Dharijat: 56].

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمْ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

“O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar juve dhe ata që kanë qënë përpara jush në mënyrë që të bëheni të devotshmën.” [el Bekare: 21].

Me [Teuhid] Allahu ka dërguar Pejgamberët, dhe ka zbritur Librat. Thotë Allahu i Lartësuar:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ قَبْلِكَ مِنْ رَسُولٍ إِلاَّ نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لا إِلَهَ إِلاَّ أَنَا فَاعْبُدُونِ

“Nuk kemi dërguar përpara teje asnjë pejgamber, vetëm se i kemi shpallur atij, se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Meje, kështu që më adhuroni Mua.” [el Enbija’: 25].

Dhe thotë i Lartësuari: 

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَسُولاً أَنْ اُعْبُدُوا اللَّهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ فَمِنْهُمْ مَنْ هَدَى اللَّهُ وَمِنْهُمْ مَنْ حَقَّتْ عَلَيْهِ الضَّلالَةُ

“Vërtetë kemi dërguar tek çdo popull të dërguar [që t’u thonë]: adhurojeni Allahun, dhe largohuni çfarë adhurohet përveç Tij (Taghutit). Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje.”[en-Nahl: 36].

Për këtë arsye, gjëja e parë që çdo pejgamber i thoshte popullit të tij, ishte fjala:

يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُمْ مِنْ إِلَهٍ غَيْرُهُ

“O populli im! Adhuroni Allahun, nuk keni të adhuruar me të drejtë përveç Tij.” [Hud: 61].

Pejgamberët e fillonin thirrjen e tyre me thirrjen për në Teuhid. Sipas metodës së pejgamberëve, kanë ecur thirrësit përmirsues prej dijetarëve të këtij ymeti. Ata i thërrisnin njerëzit në Teuhid, ia sqaronin atë njerëzve, ua shkoqisnin dhe ua mësonin këtë Teuhid njerëzve për shkak të rëndësisë së tij; dhe ai [Teuhidi] është shtylla e parë e Islamit, sikurse ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

الإسلام أن تشهد أن لا إله إلا الله وأن محمد رسول الله وتقيم الصلاة وتؤتي الزكاة وتصوم رمضان وحج البيت إن استطعت إليه سبيلا

“Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të vizitosh Qaben nëse ke mundësi.”

Pra, dy dëshmitë i ka bërë shtyllë të parë prej shtyllave të Islamit. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qëndruar 13 vjet në Mekë përpara se të bënte hixhret në Medine, dhe i bënte thirrje njerëzve për Teuhid, për veçimin e Allahut me adhurim; e kjo përpara se t’i bëheshin obligim pesë namazet dhe shtyllat e tjera të Islamit. Kur Pejgamberi dërgoi Muadhin për tek banorët e Jemenit, i tha atij:

إنك تأتي قوم من أهل الكتاب فليكن أول ما تدعوهم إليه شهادة أن لا إله إلا الله وأن محمد رسول الله فإن هم أجابوك لذلك فأعلمهم أن الله افترض عليهم خمس صلوات في اليوم والليلة فإن هم أجابوك لذلك فأعلم أن الله افترض عليهم صدقة تؤخذ من أغنيائهم وترد على فقرائهم

“Vërtetë ti po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit (janë çifutë dhe të krishterë), kështu që të jetë gjëja e parë në të cilën i thërret: dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Nëse ata të përgjigjen (të nënshtrohen), ath mësoji se Allahu i ka bërë obligim pesë namaze përgjatë ditës dhe natës. E nëse ata të përgjigjen, ath mësoji se Allahu i ka bërë obligim lëmoshën (zekatin), që u merret të pasurve të tyre, dhe u kthehet të varfërve”.

Ky është prej haditheve që na bëjnë të qartë rëndësinë e Teuhidit, dhe se kush nuk e përmbushën atë, nuk ka ndonjë dobi nga veprat e tjera, sado që ato të jenë të shumta, sepse çdo gjë e cila ndërtohet pa një themel, do të rrëzohet. 
Për këtë arsye, dijetarët, thirrësit dhe ndreqësit, i kanë dhënë rëndësi kësaj akideje (dhe këtij besimi), si nga aspekti i thirrjes, si nga ai i mësimdhënies, si nga përkujdesja rreth tij përpara çështjeve të tjera. 

Çdo thirrje e cila nuk ndërtohet mbi akiden e Teuhidit dhe nuk i jep rëndësi asaj, ath ajo është një thirrje e dështuar dhe e kotë, sepse nuk ndërtohet mbi themel, por ajo bëhet për qëllime të tjera që Allahu i din më mirë. Është detyrë që t’i përkushtohemi kësaj akideje, mësimdhënies së saj nëpër shkolla, xhamia, tubime dhe media, derisa ajo të rrënjoset, të sqarohet dhe të jetë e qartë për njerëzit çështja e saj. Nuk është për qëllim që njeriu të përpiqet në adhurim dhe vepra pa njohur Teuhidin dhe pa e veçuar adhurimin për Allahun azze ue xhel-le.

Gjëja më e madhe që e bën Teuhidin të mangët është shirku, Allahu na strehoftë dhe ndihmoftë.

وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنْ الْخَاسِرِينَ

“Vërtetë të kemi shpallur ty dhe atyre që kanë qënë përpara teje: nëse bën shirk, veprat tuaja do të rrënohen, dhe do të jesh prej të falimentuarve.” [ez-Zumer: 65].

وَلَوْ أَشْرَكُوا لَحَبِطَ عَنْهُمْ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

“Dhe nëse bëjnë shirk, veprat e tyre do të rrënohen.” [el En’am: 88].

Kjo akide ka gjashtë shtylla dhe parime të cilat i ka sqaruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: 

أن تؤمن بالله وملائكته وكتبه ورسله واليوم الآخر وتؤمن بالقدر خيره وشره

“Të besosh Allahun, melaiket e Tij, Librat e Tij, pejgamberët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe të besosh caktimin e Allahut, të mirë dhe të keq.”

Gjëja e parë që e bën të mangët këtë akide është shirku; ose e prishën nëse është shirk i madh, ose e bën të mangët nëse është shirk i vogël. 

Shirku i madh, është adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut me çfarëdo lloj prej llojeve të adhurimit; me dua, kurban, zotim, nënshtrim dhe llojeve të tjera të adhurimit. Çdo adhurim që i bëhet dikujt tjetër përveç Allahut është shirk, edhe pse nëse i kushtohet pejgamberëve, melaikeve, të dërguarve apo njerëzve të devotshëm; kjo është shirk që i bëhet Allahut azze ue xhel-le, veprat e tjera nuk janë të sakta dhe Feja kurrë nuk është e rregullt. Mushrikut (idhujtarit) nuk i pranohet ndonjë vepër, edhe sikur ta adhurojë Allahun ditën dhe natën, përderisa ai e përzien adhurimin me shirk.

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُوْلَئِكَ لَهُمْ الأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ

“Ata të cilët besuan dhe nuk e përzinë besimin e tyre me padrejtësi – dmth me shirk – atyre u përket siguria, dhe ata janë të udhëzuar.” [el En’am: 82].

Njeriu mund t’i shpëtojë shirkut të madh, mund ta urrejë dhe largohet prej tij, mirëpo janë të pakët ata që e njohin shirkun e vogël dhe që mbrohen prej tij. Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: 

الشرك في هذه الأمة أخفى من دبيب النملة السوداء على صفاة سوداء في ظلمة الليل

“Shirku në këtë ymet, është më i fshehur sesa lëvizja e milingonës së zezë, mbi një gurë të madh të zi në një mbrëmje të errët.”

Ky është shirku i vogël, ku më i madhi i tij është syfaqësia (rijaja), Allahu na mbroftë! Për syfaqësinë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë shokëve të tij:

أخوف ما أخاف عليكم الشرك الأصغر، فسئل عنه فقال: الرياء

“Gjëja që më shumë frikësohem për ju është shirku i vogël.” Pejgamberi u pyt rreth tij, dhe ai tha: “Syfaqësia”, që kur njeriu ngrihet për t’u falur, e zbukuron namazin e tij për shkak se e shikojnë njerëzit.

Këtu bën pjesë edhe ai që jep lëmoshë me qëllim që të lëvdohet, apo ndërmerr projekte bamirsie me qëllim që t’i mbesë fama dhe nami, sikurse thuhet. Të gjitha këto nuk bëjnë dobi tek Allahu i Lartësuar, sepse Allahu nuk pranon vetëm se ato vepra që i janë kushtuar Atij, për hir të Fytyrës së Tij, dhe të cilat janë në përputhje me Sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Gjëja me e madhe që e mangëson Teuhidin, është shirku. Gjëja më e madhe që e bën adhurimin të mangët dhe të pavlerë, është bidati. Për këtë, Pejgamberi sal-Allahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

وإياكم ومحدثات الأمور فإن كل محدثة بدعة وكل بدعة ضلالة

“Kujdes nga çështjet e shpikura, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.”

Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: 

من عمل عملا ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush vepron një vepër që nuk është në përputhje me Fenë tonë, ath ajo është e refuzuar”. 

من أحدث في أمرنا هذا ما ليس منه فهو رد

“Kush shpikën në Fenë tonë çfarë nuk është prej saj, ath ajo është e refuzuar”. Dmth se është e refuzuar, dhe Allahu subhanehu ue teala nuk ia pranon.

Allahu nuk pranon vetëm se ato vepra që janë të sinqerta për hir të Fytyrës së Tij, pa i bërë shirk, dhe janë në përputhje me Sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pa bërë bidate apo shpikje.

Frikësohuni Allahut o robër të Allahut! Mësojeni akiden tuaj, mësojeni Teuhidin qoftë edhe në formë të përmbledhur, sepse ka prej njerëzve që e kanë lënë [mësimin] e Teuhidit, dhe thojnë: “të gjithë njerëzit janë muslimanë, a mos doni t’i mësoni muslimanëve Teuhidin, njerëzit janë muslimanë”. Kjo [thënie] vjen si shkak e injorancës dhe devijimit të tij, Allahu na mbroftë! 

Po! Edhe muslimanit i sqarohet Teuhidi, dhe e mëson atë me qëllim që ta korigjojë besimin e tij, të largohet nga gjërat që e anullojnë dhe e mangësojnë; kështu që frikësohuni Allahut o njerëz!

Kërkoj strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar!

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمْ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ* الَّذِي جَعَلَ لَكُمْ الأَرْضَ فِرَاشاً وَالسَّمَاءَ بِنَاءً وَأَنْزَلَ مِنْ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجَ بِهِ مِنْ الثَّمَرَاتِ رِزْقاً لَكُمْ فَلا تَجْعَلُوا لِلَّهِ أَندَاداً وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ

“O njerëz! Veçojeni me adhurim Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar juve dhe ata që kanë qënë përpara jush në mënyrë që bëheni të devotshëm. I Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj, mos i bëni të barabartë Allahut me vetëdije.” [el Bekare: 21-22].

Allahu më begatoftë mua dhe ju në Kuranin Madhështor, na sjelltë dobi me sqarimet dhe përkujtimet e Kuranit, i them këto fjalë dhe i kërkoj falje Allahut për vete dhe për gjithë muslimanët nga çdo gjynah, kështu që edhe ju kërkoni Atij (falje), vërtetë Ai është Falësi dhe i Mëshirshmi.


Hytbeja e dytë:

Lavdia i qoftë Allahut për mirësitë dhe begatitë e Tij, e falenderoj Atë për suksesin dhe të mirat. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashok si madhërim për Të, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Salavatet dhe selamet qofshin për të, familjen dhe shokët e tij. Më pas:

O njerëz! Frikësohuni Allahut, dhe dijeni se ka shumë nga ata që i përkatësohen Islamit, mirëpo ata e luftojnë besimin e Teuhidit, paralajmërojnë nga Teuhidi dhe thonë: “mos krijoni përçarje mes njerëzve, mjafton që njeriu është musliman dhe t’i përkatësohet Islamit. Njerëzit janë të lirë në besimet e tyre etj, etj”. 

Neve sikur jemi të braktisur dhe nuk na është dërguar pejgamber, sikur nuk na është zbritur Libër, por secili ka mendimin dhe besimin e vet; kjo fjalë është e kotë, dhe fatkeqsisht këtë thirrje e bëjnë disa që i përkatësohen davetit (thirrjes), ua la haula ue la kuvvete il-la bil-lah

Kjo duhet sqaruar patjetër! Besimi (akideja) e saktë patjetër duhet njohur, dhe patjetër duhet mësuar, qoftë edhe shkurtimisht dhe në formë të thjeshtësuar.

Muslimani duhet t’i frikësohet Allahut. Gjithashtu o vëllezër, prej fatkeqsive të mëdha është çfarë përhapin disa prej faqeve të internetit, të cilat përhapin propaganda të kota, akuza ndaj besimit të Teuhidit dhe pjestarëve të tij, poashtu hedhja e dyshimeve që ata bëjnë tek njerëzit dhe e trillimeve. Frikësohuni Allahut dhe ruhuni nga këto mjete! Largojini ato nga shtëpiat, fëmijët dhe familjarët tuaj. Largojini këto mjete nga ata, [mjete] të cilat përhapin të keqen, shirkun, bidatet, risitë, të cilat largojnë [njerëzit] nga Teuhidi dhe Suneti, dhe të cilat i cilësojnë praktikuesit e Sunetit dhe realizuesit e Teuhidit se janë tekfirsa, janë të ashpër dhe të tjera gjëra që i thojnë. 

Ruhuni nga ata o robër të Allahut, dhe kthehuni nga akidja juaj; duke e mësuar, studiuar, duke ua mësuar të tjerëve dhe duke vepruar me të.

Vajtja te magjistarët e mangëson dhe e rrënon (anullon) akiden (besimin), sikurse ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

من أتى كاهنا وصدقه بما يقول فقد كفر بما أنزل على محمد صلى الله عليه وسلم

“Kush shkon tek një fallxhor dhe beson atë që ai thotë, vetëm se ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”. 

Kush shkon tek fallxhori, vetëm se ka bërë shirk, kështu që nuk lejohet të vajturit tek fallxhorët dhe trilluesit të cilët thonë [se lexojnë] rukje fetare, sikurse pretendojnë, mirëpo ata janë gënjeshtarë të mëdhenj, dhe hanë pa të drejtë [pasuritë e të tjerëve]. Ata nuk e njohin rukjen fetare, mirëpo i mashtrojnë njerëzit e sëmurë të cilët kanë nevojë për shërim, dhe të cilët shkojnë tek ata pa e njohur akiden (besimin) e tyre dhe pa ditur se me çfarë shërojnë; kështu që frikësohuni Allahut o robër të Tij. 

Këta njerëz nga sëmundja në Dynja drejtohen për tek sëmundja në akide, sepse falli dhe shirku janë sëmundje të akides (besimit). Ata sipas pretendimit të tyre i shërojnë trupat, mirëpo nuk ia shërojnë akiden; kështu që frikësohuni Allahut o robër të Tij. 

Ruajeni akiden tuaj, sepse ajo është kapitali juaj, është baza e Fesë tuaj, kështu që përmbahuni asaj, mësojeni atë dhe ruhuni nga ata që bëjnë thirrje kundër saj, që largojnë dhe e zhvlerësojnë atë para njerëzve.

Dijeni se fjala më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Çështjet më të këqija janë ato të shpikura, ku çdo bidat është humbje. Qëndroni me xhematin, sepse Dora e Allahut është me xhematin, e kush dallohet (dhe veçohet) përfundon në Zjarr. 

إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe melaiket e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” [el Ahzab: 56]. 

O Zot, dërgo salavate dhe selame për robin dhe të Dërguarin Tënd Muhamed. O Zot, kënaqu me halifët e tij të drejtë dhe imamët e udhëzuar; me Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun, me gjithë sahabët, me pasuesit e tyre dhe atyre që i pasuan deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, krenoje Islamin dhe muslimanët, nënçmoje idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërroji armiqtë e Fesë, dhe bëje këtë vend të sigurtë, të qetë dhe poashtu vendet e tjera muslimane, o Zoti i Krijesave!

O Zot, na ruaj rendin (qetësinë) tonë, besimin tonë dhe stabilitetin në vendet tona! O Zot, mos na dërgo për shkak të gjynaheve tona njerëz që nuk të frikësohen Ty, dhe janë të pamëshirshëm me ne!

O Zot, na mbroj neve nga armiqësia e kërcënuesve, na mbroj nga padrejtësia e idhujtarëve dhe të pafeve! O Zot përçaji ata! O Zot, ktheja kurthet kundra atyre vetë, dhe sillja shkatërrimin prej planeve që thurin, vërtetë Ti je i Plotëfuqishëm!

O Zot, na mbroj ne nga e keqja e mosbesimtarëve, dhe Ti je më i rëndë në ndëshkim!

O Zot, ndreqi prijësat tanë, bëji ata të udhëzuar dhe udhëzues, mos i bëj të humbur dhe humbës!

O Zot, ndreqi ata, bashkoji zemrat e tyre dhe bashkoji në të vërtetë, o më i Mëshirshmi ndër mëshiruesit!

O Zot, ndihmoje përmes tyre Fenë Tënde, ruaje përmes tyre rendin tonë, besimin tonë dhe stabilitetin në vendet tona! 

O Zot, kush i don keq Islamit dhe muslimanëve anëmbanë, ath dërgoji atij një më të fortë se ai vetë, dhe shkatërroje me planet atij vetë vërtetë Ti je i Plotëfuqishëm!

O Zot, Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje, Ti je i Panevojshmi (për të tjerët) ndërsa ne jemi nevojtarët, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve!

O Zot, zbrit shi mbi ne! O Zot, zbrit shi mbi ne! O Zot, zbrit shi mbi ne! O Zot, jepi ujë robërve Tuaj, vendeve dhe kafshëve Tuaja. O Zot, përhape mëshirën Tënde dhe gjallëroje vendin tënd të pajetë!

رَبَّنَا تَقَبَّلْ مِنَّا إِنَّكَ أَنْتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

“O Zot, pranoje prej nesh (këtë vepër), vërtet Ti je Dëgjuesi dhe i Gjithëdituri”. [el Bekare: 127].

Robër të Allahut, 

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَى وَيَنْهَى عَنْ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

“vërtetë Allahu uzëdhëron për drejtësi, mirësi dhe për ndihmën e të afërmve, ndërsa ndalon nga imoraliteti, e keqja dhe dhuna. Ai ju këshillon në mënyrë që të prëkujtoni”. [en-Nahl: 90].

وَأَوْفُوا بِعَهْدِ اللَّهِ إِذَا عَاهَدْتُمْ وَلا تَنقُضُوا الأَيْمَانَ بَعْدَ تَوْكِيدِهَا وَقَدْ جَعَلْتُمْ اللَّهَ عَلَيْكُمْ كَفِيلاً إِنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا تَفْعَلُونَ

“Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë-zënësin tuaj; vërtet Allahu e di se çfarë bëni ju”. [en-Nahl: 91].

Përkujtojeni Allahun që t’ju kujtojë ju, falenderojeni për mirësitë e Tij që t’ju shtojë, vërtetë përkujtimi i Allahut është më e madhe, dhe Ai është në dijeni se çfarë veproni.

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/14383 
Përktheu: Besmir Cacani

Nessun commento:

Posta un commento