lunedì 13 maggio 2013

Pyetje-përgjigje nga shejkh Ubejd el Xhabiri në çështje të ndryshme të fikhut Ubejd ibn Adullah ibn Sulejman el Xhabiri


Pyetje-përgjigje nga shejkh Ubejd el Xhabiri në çështje të ndryshme të fikhut
Ubejd ibn Adullah ibn Sulejman el Xhabiri
(pjesa e dytë)

Pyetja 6: Çfarë gjykimi ka shërimi me pickim të bletëve? Duke patur parasysh se kur pickon bleta, më pas ajo vdes, dhe a ka hadith që ndalon nga vrasja e bletëve?

Përgjigja 6:
 Dihen mënyrat e vrasjes, ajo bëhet përmes mjeteve (të ndryshme), me zjarr, përmes shokut electrik apo me tym sikurse veprojnë disa rritës bletësh tek ne. Ata ndezin një zjarr derisa tymi i zjarrit ngjitet lart, dhe kjo i largon ose i vret bletët. 

Sa i përket shërimit me bletë, që bëhet me anë të pickimit të tyre, kjo gjë tek unë uAllahu ealem ka dy raste:

Rasti i parë: Kur nuk gjen ilaç tjetër veç këtij dhe bëhet për nevojë (domosdoshmëri), nëse njeriu shërohet apo i mbaron përpjekjet me këtë veprim, i lë bletët.

Rasti i dytë:
 Kur nuk ka ndonjë domosdoshmëri dhe është mundësia që të shërohesh me tjetër gjë, si psh me anë të mjekut, mjekut të specializuar. Mjeku është më I mirë (sesa shërimi me bletë), doktori është më i mirë e kështu nuk i drejtohesh shërimit më anë të bletëve, sepse nëse bleta pickon, ajo vdes. UAllahu ealem.
◌◌◌

Pyetja 7:
 Çfarë gjykimi ka përfitimi prej sigurimit shëndetsor të detyruar? A të përfitojë ky nëpunës nga lekët që i janë marrë me detyrim megjithëse ai nuk e miraton këtë lloj siguracioni?

Përgjigja7: E bën nëse është e domosdoshme, dhe nuk e merr si rregull të përhershëm. Nëse çështja qëndron se prijësi ose institucioni që e përfaqëson prijësin bën thjesht thirrje dhe vetëm nxit pa pasur detyrim, atëherë nuk i drejtohet sigurimit shëndetsorë. E nëse bëhet me detyrim, atëherë kjo është domosdoshmëri dhe po, përfiton prej sigurimit shëndetsor.
◌◌◌

Pyetja 8: Nëna ime ka marrë disa ilaçe porse ato përmbajnë alkool, si rrjedhojë ajo tani nuk i merr më ato ilaçe nga frika mos të bëjë gjynah, porse ajo ka nevojë për to, çfarë duhet të veprojë ajo? Allahu ju begatoftë!

Përgjigja 8: 
Kjo çështje i kthehet vlerësimit të doktorit. Ajo i merr ato ilaçe sipas urdhërit të doktorit. Doktori ose do të jetë i rreptë (në marrje e ilaçeve) duke u bazuar në nevojën që ka nënasipas tij, përndryshe ai do të tolerojë dhe do t’ia zëvendësojë atë ilaç me një tjetër. Shpresoj që nëna yte të konsultohet me doktorin. Po!
◌◌◌

Pyetja 9:
 Një person ka zënë vend në rreshtat e parë të xhamisë me qëllim pritjen e namazit. Më pas, atij i erdhi një nevojë si psh nevoja për të marrë abdes. A i lejohet atij që të kalojë përmes njerëzve (ose mbi kokat e tyre) sepse xhamia është përplot me njerëz dhe nuk mundet të dalë vetëm se duke kaluar i përmes (ose mbi kokat e tyre)? Dhe cila është metoda më e mirë për të dalë nga ajo situatë?

Përgjigja 9:
 Përderisa atij i është shfaqur një nevojë që e detyron të dalë nga xhamia, atëherë nuk ka ndonjë problem për të inshaAll-llahu teala nëse kalon përmes njerëzve (ose mbi kokat e tyre). Kjo që thashë veprohet në rast nevoje (dhe domosdoshmërie) dhe nuk merret si rregull i përhershëm. Po!
◌◌◌

Pyetja 10: All-llahu ju begatoftë! Thotë pyetësi: Kur thuhet ‘radijtu bil-lahi rabben, ue bil Islami dijnen, ue bi Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-leme nebijjen’?

Përgjigja 10: Kjo thuhet gjatë dëgjimit të ezanit, gjatë dëgjimit të ezanit. Po! 

Pyetësi: Dmth kur thirret ezani nga muezini?

Shejkhu:
 Në momentin që e dëgjon ezanin, sapo ta dëgjojë ezanin. Edhe nëse e thotë pak para dy tekbireve të para nuk ka problem, ose nëse e vonon pak nga dy tekbiret e para, përsëri nuk ka problem inshaAll-llahu teala.



Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=125261 
E drejta e publikimit në web: http://www.forumiselefi.net 
Përshtati: Besmir Cacani

Ndërsa nga këtu mund ta shkarkoni materialin në format Pdf
Shtojca:
 Pyetje 2_Ubejd.pdf [421.84 KiB] 
Shkarkuar 109 herë 

Nessun commento:

Posta un commento