domenica 11 maggio 2014

Takimi me Shejh Rabi'në

Bismil-lahir Rahmanir Rahim


E gjithë lavdia i takon Vetëm All-llahut Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për robin dhe të dërguarin e Tij, profetin tonë Muhammedin, për familjen dhe për të gjithë shokët e tij, si dhe për secilin që i ndjek ata në mënyrën më të mirë deri në Ditën e Gjykimit!

Më tej:

Ditën e Xhuma, 03.07.1435h (02.05.2014G) e vizituam prindin dhe imamin e selefijve, dijetarin kolosal, Shejhun e nderuar Rabi’ ibën Hadi elMedkhali, All-llahu e ruajttë, në shtëpinë e tij ku prezantuam në mësimin e tij pas namazit të ikindisë dhe nga mësimi përfituam shumë dobi madhështore. Pastaj vazhduam të rrimë në bibliotekën e tij, ku u takuam me një numër të madh të vëllezërve selefij nga vende të ndryshme, ndër të cilët vëllezërit selefij nga SalafiPublications në Birmingham – Ebu Hadixhen dhe të tjerë.

Namazin e akshamit e falëm në xhaminë e Shejhut dhe pas namazit hipëm në makinën e Shejhut, të cilin e shoqëruam deri te shtëpia e tij. Në makinë ishte shkruesi i këtyre rreshtave (Xhemal Jakupi), vëllai Shaban Tolaj, vëllai Astrit Hoxha dhe Shejh Ahmed ezZehrani, All-llahu e ruajttë!

Ia përmendëm Shejhut problemet dhe fitnet që po na ndodhin në vendin tonë, të cilat e dëmtojnë thirrjen selefije, dhe Shejhu, All-llahu e ruajttë, na këshilloi që t’i frikohemi All-llahut, të kapemi fort për menhexhin selefi dhe të përqendrohemi në të, të mos luhatemi në këtë rrugë, t’i mësojmë librat e selefit dhe të largohemi nga shkaqet që shkaktojnë përçarje dhe grindje.

Në fund, në lidhje me problemet dhe grindjet që i kemi,Shejhu na porositi që të shkojmë te dy dijetarët e vlershëm: Shejh Ubejd elXhabiri dhe Shejh Muhammed ibën Hadi elMedkhali, All-llahu i ruajttë, t’i zgjidhim problemet me ta, t’i marrim këshillat dhe udhëzimet e tyre dhe t’i japim fund secilit problem, në mënyrë që thirrja selefije të vazhdojë e fuqishme dhe t’i largohen pengesat nga rruga e saj.

All-llahu ia shpërbleftë shejhut dhe prindit tonë me shpërblimet më të mira, e ruajttë atë dhe u bëftë dobi me të Islamit dhe muslimanëve; si dhe i bëftë këshillat dhe udhëzimet e tij të dobishme për ne!

All-llahu ia shpërbleftë me të mira edhe shejhut të nderuar Ahmed ezZehrani, për ndihmën dhe mundësimin e takimit me Shejh Rabi’në, si dhe për udhëzimet dhe këshillat e mëtejme që na i dha.

Salavatet dhe selamet e All-llahut qofshin për Robin dhe të Dërguarin e Tij Muhammedin, për familjen e tij dhe për të gjithë shokët e tij!

Nessun commento:

Posta un commento